
Isa Boletini, Ismail Qemali dhe Bajram Curri janë figurat e pullës më të re postare, e cila nga e marta do të jetë në qarkullim në Kosovë në kuadër të nismës së Postës së Kosovës, “100 vjet Shtet Shqiptar”.
Kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha ka thënë se nga 27 nëntori do të lëshohet kjo pullë postare. Tri figurat e mëdha të kombit, që janë pjesë e kësaj pulle postare, sipas tij, i pret një detyrë e re, ajo e ambasadorëve të Republikës së Kosovës.
Hoxha ka thënë se kjo pullë jep mundësinë t’i tregojmë botës që jemi popull atdhedashës, bujar dhe popull që çmon dhe respekton vlerat e tij kombëtare.
“Pulla postare që Posta e Kosovës e emeton për nder të këtij jubileu, mban portretet e veprimtarëve kosovarë, të cilët dikur dhanë kontributin historik në luftë, ndërsa sot në paqe, përmes pullës postare bartin mesazhin për historinë e ndritur të popullit shqiptar”, ka thënë Hoxha.
Kjo është e vetmja pullë postare që përbën edicionin e 87 të pullave postare që emeton Filatelia e Postës së Kosovës, me vlerë nominal prej një euro.
Top Channel