Avokatët mbrojtës të katërshes së akuzuar për krime lufte, Limaj, Shala dhe Nexhmi e Naser Krasniqi, kanë dorëzuar të hënën në Gjykatën Supreme të Kosovës apelin kundër masës së paraburgimit ndaj klientëve të tyre.

Sipas raportimeve të së përditshmes “Express”, pala mbrojtëse kërkon anulimin e vendimit që organi i lartë gjyqësor dha më herët për ish-luftëtarët e UÇK-së, të cilët akuzohen për krime lufte në fshatin Kleçkë, prej nga merr dhe emrin çështja e ngritur ndaj tyre.

Avokati Mahmut Halimi, i cili përfaqëson të akuzuarin Nexhmi Krasniqi, ka konfirmuar për mediat kosovare dorëzimin e kërkesës. “Kemi dorëzuar ankesën dhe kemi arsyetuar se gjykata ka vendosur në tërësi pa i shqyrtuar shkaqet objektive e subjektive për secilin të akuzuar veç e veç”, ka thënë Halimi.

PDK: Rishikim mandatit të EULEX

Ndërkohë, klasa politike në Kosovë shprehet e indinjuar ndaj vendimit të gjykatës dhe ndaj misionit EULEX, me kërkesë të të cilit u rihap çështja “Kleçka” dhe u paraburgosën 4 luftëtarët.

Grupi parlamentar i PDK-së, në bashkëpunim me grupet e tjera parlamentare, do të ndërmarrë një iniciativë për të rishikuar mandatin e misionit EULEX në Parlamentin e Kosovës.

Kryetari i këtij grupi, Adem Grabovci ka deklaruar se, mënyra sesi EULEX po merret me këtë çështje është mënyra më e turpshme dhe degraduese që mund të bëhet ndaj të akuzuarve dhe ndaj institucioneve legjitime të Kosovës.

“Grupi parlamentar i PDK-së beson tek drejtësia dhe pavarësia e gjyqësorit, por drejtësia nuk mund të keqpërdoret në këtë formë, që synon diskretitimin e luftës tonë çlirimtare dhe për barazim të viktimës me xhelatin”, ka deklaruar Grabovci.

Beogradi mirëpret arrestimin e Limajt

Ndërkohë, lidhur me paraburgimin e Limaj dhe tre të tjerëve kanë reaguar edhe eksponentë të klasës politike të Beogradit, të cilët janë shprehur të kënaqur me vendimin.

Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë ka thënë se mirëpret vendimin e EULEX-it, që nën dyshimet për krime lufte të arrestojë Fatmir Limajn.

“Kërkojmë që të gjithë personat e akuzuar për krime lufte të sillen para drejtësisë. Kujtojmë se për drejtësi presin mbi 1.000 serbë dhe joshqiptarë të tjerë të vrarë nga viti 1999 e deri më sot”, thuhet në një deklaratë për shtyp.

VV: Vendimi, eleminim politik për Limajn

Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me arrestimin dhe caktimin e masës së burgimit 30-ditor të Fatmir Limajt.

VV hedh dyshimet se përse ndodhi pikërisht tani dhe pse u dha masa e paraburgimit kur Fatmir Limaj ka qenë gjithmonë i gatshëm për t’u përballur me gjykatat si ato në Kosovë, ashtu dhe atë në Hagë?

“Gjykimi ndaj Fatmir Limajt është gjyqësi selektive, duan ta paraqesin Limajn si shumë të korruptuar dhe Thaçin si aspak të korruptuar”, thotë Vetëvendosje në reagimin e saj.

“Vendimi për rihapjen e rastit Kleçka është vendim për eliminimin politik të Fatmir Limajt. Ai u mor pasi Fatmir Limaj filloi të kërkonte demokraci brenda subjektit të tij PDK-së. Tani kur po bëhen zgjedhjet në subjektin e tij, Fatmir Limaj paraqitet pengesë në planin dhe për uzurpimin total  të PDK-së nga SHIK-u. Si duket nuk mund të lejohet që Fatmir Limaj të kontestonte pozicionimin e Kadri Veselit në parti. Eulex-i po i lufton kundërshtarët  e brendshëm politikë të Hashim Thaçit”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e VV. 

Top Channel