Fuqizimi ushtarak i Kinës

26/11/2012 00:00

Zgjerimit të saj ekonomik, Kina prej disa vitesh po përpiqet t’u shtojë edhe atë ushtarak. Vendi i madh aziatik, konsiderohet ende me një fuqi modeste luftarake në krahasim me potencialin ekonomik që ka.

Pikërisht për këtë, Pekini zyrtar në vitet e fundit ka zhvendosur vëmendjen në ngritjen dhe modernizimin ushtarak në nevojat e mjaftueshme për “t’u vetëmbrojtur”. Në kuadër të këtyre politikave, Kina njoftoi uljen me sukses të një avioni luftarak prodhim vendas në aeroplan-mbajtësen “Liaoning”.

“Liaoning” është aeroplan-mbajtësja e parë kineze e ndërtuar mbi bazat e një modeli sovjetik. Sipas medias shtetërore në Pekin, avioni kinez i tipi J-15, u ul me sukses mbi pistën e aeroplan-mbajtëses duke kaluar me sukses provën.

Agjencia Xinhua raporton se J-15 konkuron denjësisht me modelin rus, SU-33 dhe atë amerikan F-18 duke qenë në gjendje të armatoset jo vetëm me predha anti-anije, ajër-ajër dhe ajor-tokë, por edhe me predha të precizionit të lartë.

Megjithatë, ekspertët ushtarakë deklarojnë se pavarësisht testit të suksesshëm, vendit komunist do t’i duhen ende shumë vite për të zgjeruar aftësistë e aeroplan-mbajtësve të saj në nivelin e atyre amerikane apo ruse.

Ndërkohë, diplomatët ndërkombëtarë dhe analistët e çështjeve të ndjeshme në Azinë Lindore dhe Jug-lindore deklarojnë se me këto lëvizje, Kina po kërkon zgjerimin ushtarak për t’u “përballur me fqinjët e saj në lidhje me pretendimet e ujërave territoriale në Detin e Kinës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA