Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi organizoi një ceremoni solemne për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Kosova, tha kryeministri Thaçi, ka dhënë një kontribut themelor për pavarësinë e Shqipërisë, por megjithatë mëse gjysma e trojeve shqiptare mbetën jashtë Shqipërisë, ndaj ne nuk u bëmë dy shtete me dëshirën tonë.

“Edhe sot ka të tillë që na thonë se i keni dy shtete. Dy shtete ne nuk i bëmë me dëshirën tonë. Ky është realitet. Por më me dëshirë dhe shumë më mirë do të jetonim në një shtet të vetëm brenda familjes evropiane. Në këtë periudhë të rëndësishme për kombin tonë, duke festuar 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, duke festuar ngritjen e flamurit kombëtar, uroj gjithë shqiptarët kudo që janë të festojnë me dinjitet dhe krenari. Këto janë momentet e shqiptarëve. E ardhmja u takon shqiptarëve”, deklaroi Thaçi.

I pranishëm në ceremoni akademiku Adem Demaçi u shpreh: “Sot Shqipëria jonë, ajo pjesë e lirë e jona, është anëtare e NATO-s. Sot Kosova, me të gjitha problemet e shumta që i ka, është ngritur në këmbët e veta. Po mundohen të na shtyjnë andej këtej, por megjithatë nuk po na rrëzojnë. Do të qëndrojmë, do të veprojmë duke kujtuar gabimet tona, duke parë gabimet e të tjerëve dhe duke mësuar nga e kaluara”.

“Emri i Ismail Qemalit në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar, si shtetari që themeloi Shqipërinë shtetërore me kufij që ajo ka sot, si profeti i madh i Shqipërisë etnike, çfarë do të jetë ajo nesër pa dyshim. Si demokrati liberal që filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si njeriu që dhuntinë e tij politike, e përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme dhe më të vlefshme të popullit të vet. Mbetet i shënuar si personalitet, që ka kryer misionin prijës në historinë e popullit shqiptar”, deklaroi më pas akademiku Rexhep Qosja.

Sipas agjencisë Kosovapress, në këtë ceremoni munguan përfaqësues të partive opozitare si dhe pjesëtarët e familjeve të komandantit legjendar Adem Jasharit dhe ajo e Ramush Haradinajt.

Top Channel