Fatmir Limajt, që gjatë luftës njihej me nofkën “Komandant Çeliku”, dhe tre ish-pjestarëve të UÇK-së, Naser Krasniqi, Nexhmi Krasniqi dhe Naser Shala, u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji, nga një gjykatës i EULEX-it në Gjykatën Supreme që mori parasysh kërkesën e prokurorit të EULEX-it, Maurizio Salustro.

Vendimi është marrë pas orës 23 të ditës së shtunë dhe ka të bëjë me rastin “Kleçka”, për të cilin Gjykata Supreme ditë më parë e ka kthyer këtë çështje në rigjykim për katër ish-pjesëtarët e UÇK-së të cilët akuzohen për krime lufte gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kërkesën për paraburgim prokurori e ka bërë me arsyetimin se ekziston rreziku i ikjes së të akuzuarve të rastit të ashtuquajtur “Kleçka”.

Avokati i Limajt, Tahir Rrecaj, ka thënë se është i befasuar me këtë vendim pasi Limaj është kthyer nga Shqipëria ku është shpallur qytetar nderi i Vlorës dhe nuk ka asnjë arsye që të mendohet se ai të mos paraqitet para organeve të drejtësisë: “Është absurde dhe fyese për karakterin dhe personalitetin e zotit Limaj. Të gjithë i dimë meritat e tij dhe unë nuk besoj që ai ka bërë tërë atë luftë për t’i kthyer shpinën Kosovës.”

Mahmut Halimi, avokat i Nexhmi Krasniqit, ka thënë para mediave se një vendim i tillë është me prapavijë dhe se efekti politik i cili mund të ketë konotacion të drejtpërdrejtë pasi shefi i EULEX-it, Xavier De Marnhac, ishte në Beograd dhe që sipas tij nuk dha përgjigje për qëllimin e vizitës: “Ai duhet të njoftojë kosovarët pse ishte prezent atje. Pse u caktua menjëherë gjykimi? Unë kam klientë që kanë vite që presin drejtësi para kësaj gjykate dhe nuk i caktohet gjykimi, ndërsa ky u caktua me shpejtësi të rrufeshme.”

Fatmir Limaj, deputet aktual i PDK-së, dhe tre të tjerët janë paraqitur në Supreme në orët e pasdites të së shtunës dhe për më shumë se shtatë orë familjarët dhe të afërmit e tyre kanë pritur vendimin.

Ndaj këtij vendimi avokatët paralajmëruan se do të bëjnë ankesë të hënën.

Top Channel