Kinë, hyn në shërbim aeroplanmbajtësja e parë

25/11/2012 09:30

Gjuajtës kinezë u ulën për herë të parë në aeroplanmbajtësen e parë të vendit, “Liaoning”, në një ngjarje të reklamuar me bujë nga mediat kineze ditën e dielë.

Gjuajtësit e prodhuar në vend “J-15” u ngritën dhe u ulën për herë të parë nga “fortesa” e marinës kineze, një ish-aeroplanmbajtëse sovjetike, e rinovuar dhe e sjellë në punë nga Pekini zyrtar.

E hyrë në histori si aeroplanmbajtësja e parë kineze, “Liaoning” nuk pritet që të jetë për shumë kohë e vetmja, pasi planet për ndërtimin e të paktën dy aeroplanmbajtësve të tjera janë në zhvillim.

Sipas analistëve, operimi i suksesshëm i gjuajtësve nga superstruktura, me gjatësi prej 312 metrash dhe 76 metra gjerësi, lejon Kinën që të rrisë ndjeshëm forcën në Detin e Kinës Lindore, ku vendi është i përfshirë në disa mosmarrëveshje territoriale me Japoninë dhe disa shtete të tjera fqinje.

Aktualisht, vendi me më shumë aeroplanmbajtës është SHBA, me 11 të tillë dhe tre të tjerë në ndërtim

Flota italiane disponon dy aeroplanmbajtëse, ndërsa vendet që kanë nga një janë Rusia, Kina, Franca, India, Britania e Madhe dhe Spanja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA