
Zyra e presidentit egjiptian, Mohammed Mursi, ka mbrojtur dekretin, që i jep atij fuqi te reja, duke thënë se ai është i përkohshëm dhe nuk ka për qëllim përqendrimin e fuqive në duart e tij.
Dekreti kishte synim të mbronte drejtuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike nga pengesat e mundshme, thuhej në deklaratë.
Mursi u angazhua për gjetjen e “gjuhës së përbashkët” me partitë e tjera.
Dekreti i së enjtes shkaktoi protesta të shumta prej disa ditësh, si dhe një rënie të lirë të aksioneve në bursën egjiptiane.
“Presidenca rithekson natyrën e përkohshme të masave të ndërmarra së fundi, të cilat nuk synojnë të përqendrojnë fuqitë, por për të shmangur përpjekjet për të minuar drejtuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike, si dhe të ruajë paanësinë e gjyqësorit” thuhej në deklaratë.
Mursi tha se ishte angazhuar për t’u takuar me të gjitha forcat politike për të arritur “gjuhën e përbashkët” sa i përket Kushtetutës.
Por, disa liderë të shquar të opozitës, përfshi fituesin e çmimit Nobel për Paqe, Mohamed elBaradei, kanë thënë se nuk do të uleshin për dialog me presidentin, deri sa ai të tërheqë mbrapsht dekretin e tij.
Top Channel