Në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në Mitrovicë u bë përurimi i shtatores së heroit Isa Boletini. Me këtë rast u vlerësua lart figura e Boletinit dhe kontributi i tij për themelimin e shtetit shqiptar.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha në fjalën e tij se festimi i 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë është i natyrshëm.

“100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë shënon fillimin e ri për gjithë shqiptarët, shekullin e ri, shekullin e fuqizimit dhe të bashkimit të kombit shqiptar”, tha Thaçi.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i pranishëm në ceremoni, shprehu krenarinë e tij që është bashkëkombas i Isa Boletinit.

“Isës iu rrëmbyen prona e çifligje, por ai nuk i ndërroi kurrë ato më gurët e Boletinëve, sepse kishte besë dhe i jepte besë një kombi të tërë, nga Mitrovica në Vlorë”, tha Basha.

Sipas “RTK”, i pranishëm në ceremoni ishte edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili u shpreh se amaneti i Isa Boletinit ishte që të mos ketë ndarje të Kosovës dhe cënim të integritetit territorial të saj.

“Ky apel është ende gjallë. Integriteti dhe sovraniteti i Kosovës është i paprekshëm”, theksoi Ahmeti. Në këtë ceremoni mbajti një fjalim edhe stërnipi i Isa Boletinit, Gazmend Boletini, i cili tha se vetëm një Shqipëri e bashkuar është e pranuar për të gjithë shqiptarët.

“Rikthimi i Isa Boletinit në bronz pas një shekulli në Mitrovicë është një sinjal i qartë se në këto toka kumbojnë minutat e bashkimit. Rroftë Shqipëria e natyrshme, rroftë flamuri kombëtar”, tha stërnipi i heroit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA