Liderët afrikanë: Stop luftës në Kongo

24/11/2012 18:40

Një samit i krerëve të katër shteteve afrikane i ka bërë thirrje rebelëve në Republikën Demokratike të Kongos që të ulin armët dhe të ndërpresin kërcënimet për rrëzimin e qeverisë.

Katër liderët i kanë kërkuar gjithashtu grupit M23 që të largohet nga qyteti lindor i Gomës, të cilin rebelët e morën nën kontroll ditën e martë.

Nga ana tjetër, edhe presidentit kongolez Joseph Kabila i është bërë thirrje që të dëgjojë ankesat e rebelëve.

Bisedimet u mbajtën në Uganda, vend që bashkë me Ruandën janë akuzuar për mbështetje të rebelëve, akuza të cilat ato i kanë hedhur poshtë vazhdimisht.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar ndërkohë për një krizë humanitare pasi rezervat me ushqime dhe mjekime për popullsinë po mbarojnë.

Grupet e armatosura kanë luftuar për minierat e pasura në lindje të Republikës Demokratike të Kongos për dy dekada dhe së fundmi në këtë konflikt janë përdorur edhe armë shqiptare.

Presidenti Kabila dhe presidentët e Ugandës, Kenias dhe Tanzanisë ndoqën bisedimet, por lideri ruandez Paul Kagame nuk ishte i pranishëm.

Ai u përfaqësua nga ministri i Jashtëm. Korrespondenti i BBC që ndoqi samitin thotë se edhe disa liderë të fraksionit M23 kanë qenë të pranishëm në kryeqytetin e Ugandës, Kampala.

Katër presidentët lëshuan në përfundim të takimit një deklaratë që u kërkon rebelëve “të ndalin të gjitha aktivitetet luftarake, të tërhiqen nga Goma dhe të ndërpresin kërcënimet për rrëzimin e qeverisë së zgjedhur.

Rebelët kanë refuzuar thirrjet e mëparshme për t’u larguar nga Goma, kryeqyteti i provincës së Kivut Verior dhe qyteti kryesor në lindje të Republikës Demokratike të Kongos.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA