Egjipt, intensifikohen protestat anti-Mursi

24/11/2012 03:27

Dekreti, që shpall paprekshmërinë e vendimeve të tij nga gjykatat, nxiti sulme nëpër zyrat e partisë së presidentit, në disa qytete.

Mursi, duke u shfaqur në rolin e sfiduesit, doli në mbrojtje të kësaj lëvizjeje, duke thënë se po udhëhiqte Egjiptin drejt rrugës së “lirisë e demokracisë”.

Administrata e Obamas ka shprehur shqetësim në lidhje me zhvillimet e fundit.

Përgjatë natës, rreth 20 çadra të bardha u vendosën në qendër të sheshit Tahrir, në Kairo, ku egjiptianët festuan largimin e presidentit Hosni Mubarak, vitin e kaluar.

Organizatorët e protestave thanë se më shumë se 20 grupe të ndryshme janë bashkuar në këtë ulje në shesh, që pritet të zgjasë 1 javë, për të kundërshtuar reformat e presidentit Mursi.

Numri i protestuesve është rritur nga disa qindra në disa mijëra. Organizatorët kanë bërë thirrje për një protestë madhështore gjatë ditës së martë.

Ata po shohin se si presidenti i ri është duke u bërë pak a shumë, i njëjti diktator si sundimtari afatgjatë Hosni Mubarak.

Protestuesit kanë 2 kërkesa: të kthejnë mbrapsht deklaratën kushtetuese të presidentit, si dhe të shpërndajnë Asamblenë Kushtetuese, e cila po harton aktualisht Kushtetutën e re të Egjiptit.

Disa protestues të veçuar, mbrëmjen e së premtes u përplasën me policinë pranë Ministrisë së Brendshme, shumë pranë sheshit Tahrir.

Policia hidhte gaz lotsjellës, ndërsa demostruesit bomba molotovi. Koret “Mursi është Mubarak… revolucion gjithandej” dëgjoheshin kudo.

Rreth 100 njerëz raportohet të plagosur nga dhuna, teksa zyrat e partisë “Vëllazëria Muslimane” të presidentit raportohet të jenë sulmuar në qytetet e Port Said, Suez dhe Ismailia, ndërsa përplasje mes demostruesve rivalë ka patur në Alexandria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA