Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle, ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është kusht i domosdoshëm për anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian.

“Ne e mirëpresim faktin që Serbia dhe Kosova po bëjnë përpjekje që të normalizojnë marrëdhëniet. Kjo ka rëndësi të madhe për forcimin e raporteve fqinjësore, të cilat janë kusht i domosdoshëm që atyre t’iu lejohet anëtarësimi në BE, me të drejta dhe detyrime të plota”, ka thënë Westerwelle.

Sipas raportimeve të “Express”, kryediplomati gjerman i ka bërë këto komente në konferencën e ministrave të Jashtëm të Evropës Juglindore, që po zhvillon punimet në Berlin.

Westerwelle ka theksuar po ashtu rëndësinë e një mirëkuptimi politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit rreth çështjeve kryesore, përfshirë “situatën e pazgjidhur në veri të Kosovës”.

Takimi i radhës mes kryeministrit kosovar Hashim Thaçi dhe homologut serb Ivica Daçiç do të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm.

Sipas raportimit të pak ditëve më parë të agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, që citonte burime konfidenciale nga KE, data e saktë nuk është përcaktuar ende.

Megjithatë, burimi mediatik bënte me dije se tema kryesore e bisedimeve, edhe këtë herë të ndërmjetësuara nga baronesha Ashton, do të jetë ajo për menaxhimin e integruar të kufijve.

Marrëveshja në fjalë, e arritur në fazën e mëparshme të bisedimeve Kosovë-Serbi, refuzohet nga një pjesë e spektrit politik serb, si dhe nga serbët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA