Qeveria e Kosovës intensifikon angazhimet drejt përmbushjes së detyrimeve të veta ndaj BERZH, tani që Kosova është bërë pjesë e saj.

Në mbledhjen e radhës kabineti qeveritar miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Po kështu, qeveria ndau shumën prej 1 milion e 50 mijë euro për pagesën e kapitalit aksionar të Kosovës në këtë institucion të rëndësishëm financiar.

“Përveç se është një reflektim i besimit të shteteve anëtare të BERZH-it në demokracinë kosovare, anëtarësimi në këtë bankë do të ofrojë mbështetje të madhe në rrugën drejt forcimit të ekonomisë së lirë të tregut”, deklaroi Thaçi.

Sipas tij, nga ky anëtarësim përfitime të drejtpërdrejta do të ketë sektori privat, që përveç kredive do të përfitojë edhe nga investimet direkte, si dhe nga transferimi i teknologjisë dhe shërbimeve këshilluese.

Ndërsa ministri i Financave, Bedri Hamza u shpreh se, “Pas ratifikimit nga ana e Kuvendit të Marrëveshjes për Themelimin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, qeveria e Kosovës detyrohet të kryejë të gjitha obligimet që dalin prej saj, duke përfshirë edhe ato financiare që dalin nga Rezoluta numër 154 e Bordit të Guvernatorëve të BERZH”.

Ndërkohë, ministri i Infrstrakturës, Fehmi Mujota njoftoi kabinetin qeveritar se jane bërë të gjitha përgatitjet për përurimin e Rrugës së Kombit më 27 nëntor.

“Pas një pune të madhe gjatë gjithë vitit, dita e 27 nëntorit do të jetë ditë e suksesit në ndërtimin e vendit. Është një ditë që shënon hapjen e perspektivës të zhvillimit ekonomik për Kosovën”, theksoi Mujota.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA