Gaza, incidentet rrezikojnë armëpushimin

23/11/2012 00:00

Armëpushimi i brishtë i vendosur të mërkurën mes Izraelit dhe Hamasit kërcënohet seriozisht nga incidentet e fundit të ndodhura në kufirin mes Rripit të Gazas dhe shtetit hebre.

Zyrtarë të Hamasit deklaruan se ushtria izraelite ka hapur zjarr ndaj civilëve palestinezëve duke vrarë një 19-vjeçar e duke plagosur 19 të tjerë. Incidenti ndodhi në zonën neutrale 300 metërshe ku ndalohet çdo lloj kalimi në kufirin mes Gazas dhe Izraelit.

BBC raporton se viktima të plumbave janë protestues fermerë që po kontrollonin arat e tyre në afërsi të zonës neutrale, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes izraelite deklaroi se një grup prej më shumë se 300 palestinezësh u përpoqën të hyjnë në Izrael nëpërmjet kufirit të Gazas.

Banorët e Gazas po përpiqen t’i rikthehen normalitetit pas konfliktit që zgjati 8 ditë me shkëmbime raketash e bombardimesh nga të dyja palët, ku humbën jetën të paktën 158 palestinezë dhe 3 izraelitë.

Top Channel