Shkodër, rikthehen ndëshkimet kolektive të CEZ

22/11/2012 18:10

Janë rikthyer ndëshkimet kolektive në rrethin e Shkodrës, ku është ndërprerë sërisht prej CEZ-it energjia në fshatrat e komunës Rrethina.

Komunat Rrethina dhe Postribë u vendosën në qendër të vëmendjes edhe në fillim të nëntorit, pasi banorët e tyre sulmuan nënstacionin elektrik dhe rikthyen me forcë energjinë, pas dy javësh ndërprerje.

Sipas informacioneve, ndërprerjet e energjisë në fshatrat Grudë, Bardhaj dhe Hot i Ri, janë rikthyer prej disa ditësh, ndërsa në këtë të fundit, mungesa e energjisë elektrike pengoi zhvillimin e tre ceremonive mortore.

Sipas “CEZ”-it, kjo komunë është ndër më problematiket në Shqipëri, me pjesën dërmuese të rezidentëve që nuk paguajnë energjinë, por ky konstatim hidhet poshtë prej vetë komunës dhe banorëve, që pretedojnë se një pjesë e vogël nuk paguan dhe kërkon që ndërprerja të bëhet vetëm për ata.

Javën e shkuar, kompania çeke e shpërndarjes së energjisë u bë protagoniste e një konflikti të ashpër me shtetin, pasi i hoqi energjinë disa dhjetëra ujësjellësave në të gjithë Shqipërinë, për shkak të detyrimeve të papaguara.

Pas kësaj, Gjykata e Tiranës urdhëroi “CEZ”-in që të heqë dorë nga kjo praktikë, deri në gjetjen e një marrëveshje midis palëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA