Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikolic, kërkoi mbështetjen e Rusisë, pasi Aleksandr Chepurin paraqiti kredencialet e tij si ambasadori i ri i Moskës në Beograd.

“Udhëheqësit serbë çmojnë së tepërmi mbështetjen e Rusisë në luftën tonë për respektimin e së drejtës ndërkombëtare mbi çështjen e Kosovës dhe Metohisë, si dhe respektin për integritetin dhe tërësinë tonë territoriale”, theksoi Nikolic.

Kreu i shtetit serb shtoi se momenti aktual është vendimtar për fatet e vendit dhe kërkoi mbështetjen e Rusisë në “vendimet e rëndësishme” që do të merren, pa saktësuar se cilat do të jenë këto vendime.

Nga ana e tij, në marrjen zyrtare të detyrës si ambasadori i Rusisë në Serbi, Chepurin ngriti lart “vlerat dhe miqësinë historike të dy popujve sllavë”, ndërsa shprehu bindjen për nënshkrimin e shpejtë të një sërë marrëveshjesh ekonomike “në të mirë të të dy popujve”.

“Serbia dhe Rusia janë të vendosur që të forcojnë marrëdhëniet midis tyre në një nivel të ri dhe takimet midis Presidentit Nikolic dhe Presidentit Putin shërbejnë shumë për të dhënë impulsin e nevojshëm për arritjen e këtij qëllimi”, theksoi kryediplomati rus në Beograd.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA