Zëvendëskryeministri serb i Kosovës, Sllobodan Petroviç ka deklaruar se platforma serbe për Kosovën është një dokument që nuk përputhet me realitetin dhe që sipas tij duhet ndryshuar.

“Nuk kam pasur mundësi ta shoh këtë dokument, por nga sa kam parë në gazeta mund të them se kjo platformë është jashtë realitetit dhe duhet të ketë vend për ndryshime”, ka thënë Petroviç.

Sipas tij, vetë fakti që dokumenti në fjalë quhet “platformë” tregon se ai nuk është harmonizuar në institucionet e Republikës së Serbisë.

Duke folur në konferencën për shtyp të fundvitit, Petroviç, njëkohësisht ministër i Pushtetit Lokal, ka thënë se është përmbyllur me sukses proçesi i decentralizimit në Kosovë.

Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen në territorin e shtetit të ri të themelohen komuna të reja.

“Kjo nuk nënkupton që në një të ardhme të afërt të mos themelohen komuna të reja. Ne duhet të kuptojmë se themelimi i komunave të reja po e humb kuptimin me aplikimin e formave moderne dhe alternative të komunikimit dhe kryerjes së shërbimeve”, ka shtuar Petroviç.

Petroviç ka shtuar se në vitin që po lëmë pas, një nga detyrat më të rëndësishme që ka pasur ministria e tij ka qenë monitorimi i kuvendeve komunale, një proçes që sipas tij ka funksionuar mirë, pasi janë monitoruar mbi 95% të mbledhjeve ku janë vlerësuar 1 mijë e 66 vendime dhe 103 rregullore. 

Top Channel