
Papa ka falur ish-mazhordomin e tij, Paolo Gabriele, i dënuar më 6 tetor me 18 muaj burg për nxjerrje të informacioneve sekrete nga apartamenti i atit të shenjtë.
Benedikti XVI e ka vizituar mëngjesin e së shtunës ish-ndihmësin në kazermën e xhandarmërisë, ka biseduar me të për rreth 15 minuta dhe i ka komunikuar faljen e tij. Vetëm pak më vonë Gabriele ka lënë qelinë.
“Është një lajm i mirë që vjen në fund të një çështjeje të hidhur. Tani pritet një rishikim dhe shpresohet në rikthimin e qetësisë për të vijuar rrugën tonë”.
Me këto fjalë zëdhënësi i Vatikanit, at Federico Lombardi ka dhënë lajmin e vizitës së Papës në xhandarmëri dhe faljen që ati i shenjtë i bëri ish-bashkëpunëtorit. Paolo
Gabriele, pas faljes së dhënë nga Papa dhe pas lirimit nga burgu, nuk do të mund të punojë më për Selinë e Shenjtë dhe as të jetojë në këtë shtet.
“Bëhet fjalë për një gjest atëror kundrejt një personi me të cilin Papa ka ndarë për disa vite jetën e tij të përditshme”, ka thënë më tej Lombardi.
Ai e ka krahasuar vizitën e Benediktit XVI tek Gabriele me atë që parardhësi i tij Papa Wojtila i bëri atentatorit të tij, Ali Agça, anëtar i fraksionit Ujqit Gri.
Top Channel