Tensionohet situata në veri të Mitrovicës. Serbët që jetojnë përtej urës së Ibrit duket se janë mobilizuar me anë të sistemit të tyre të alarmit për të ndaluar punimet në shtëpitë e shqiptarëve.

Ekipi i xhirimit i Top Channel nga vendi i ngjarjes konfirmon se në lagjen Kroi i Vitakut ka mbërritur edhe njësia speciale ROSU e policisë së Kosovës.

Agjencia e lajmeve “Kosovapress” njofton se më herët, disa grupe serbësh kanë qëlluar me gurë në drejtim të punëtorëve të kompanisë që po kryen punimet në disa shtëpi, por dhe kundër policëve kosovarë të pranishëm në Kroin e Vitakut.

Mëngjesin e së merkurës një shpërthim i fuqishëm tronditi lagjen në fjalë, në të cilën shqiptarët po rindërtojnë shtëpitë e tyre.

Sipas policisë, nga shpërthimi nuk pati dëme në njerëz e as materiale, por edhe pse nuk dihen autorët, duket se qëllimi është një: frikësimi i banorëve shqiptarë.

E pikërisht disa orë pas kësaj ngjarjeje, qindra serbë protestuan në veri pranë urës kryesore. Ata shfaqën hapur qendrimin e tyre kundër kthimit të shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut”.

Protesta u organizua nga kryetari i komunës ilegale të veriut të Mitrovicës, Kerstimir Pantiq. Ai ftoi edhe njëherë serbët, që të kundërshtojnë përpjekjet e faktorit shqiptar dhe ndërkombëtar për akomodimin e shqiptarëve, të cilët sic tha ai nuk kanë jetuar kurrë më përpara në veri.

Top Channel