Numri i personave të zhdukur në Meksikë gjatë 6 viteve të fundit është të paktën 20.851, sipas organizatës joqeveritare Propuesta Civica.
Organizata citon në faqen e saj të internetit dokumenta zyrtare të dala fshehurazi nga Ministria e Drejtësisë.
Sipas OJQ-së, mes personave mbi fatin e të cilëve nuk ka më asnjë lajm, 11.201 janë meshkuj, 8.340 janë femra, ndërsa pjesa tjetër, 1.310, janë me gjini të papërcaktuar.
Mosha më e goditur nga ky fenomen është ajo mes 10 dhe 17 vjeç, që përbëjnë 29 për qind të të zhdukurve, e ndjekur nga ajo mes 18 dhe 30 vjeç, që janë 24 për qind.
Dokumenti i Ministrisë së Drejtësisë përfshin periudhën nga 2 gushti i vitit 2006 në 29 shkurt të vitit 2012, saktësohet në ëeb site-n e Propuesta Civica.
Rreth 20 mijë personave të zhdukur u shtohen edhe rreth 60 mijë të vrarët në 6 vitet e fundit nga krimet e lidhura me luftën mes karteleve të drogës.
Më herët gjatë muajit, Enrique Pena Nieto u betua si presidenti i ri i Meksikës, me premtimin se do të përshkallëzojë luftën kundër krimit, në veçanti ndaj atij të organizuar.
”Qëllimi kryesor i qeverisë sime do të jetë që të rikthej paqen në Meksikë. Askush tjetër përveç shtetit dhe ligjit nuk mund të udhëheqë këtë vend apo pjesë të caktuara të territorit të tij”, deklaroi Nieto.
Top Channel