Një ngjarje e rëndë ka ndodhur natën mes së premtes dhe së shtunës në Itali, e përshkruar si e tipit “Far West” nga mediat vendase.
Një person në qytetin e Xhelës, në jug të vendit, pasi është mbyllur në shtëpi ka dalë në ballkon dhe ka nisur të qëllojë me pushkë si i çmendur ndaj kalimtarëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat fillimisht janë përpjekur ta bindin 42-vjeçarin Giuseppe Licata që të ulë armën, por nuk ia kanë arritur.
Agjentët kanë hasur në rezistencën e tij, që ka sjellë një shkëmbim zjarri që ka zgjatur pothuajse 5 orë. Pas shumë të shtënave, rreth orës 3 të mëngjesit të së shtunës, një nga policët e ka qëlluar autorin duke e neutralizuar.
Agjentët më pas kanë hyrë në shtëpinë e tij dhe kanë tentuar ta mbajnë në jetë, por 42-vjeçari nuk ka mbijetuar dot.
Nga dëshmitë që agjentët kanë mbledhur duke marrë në pyetje familjarët e autorit rezulton se reagimi i tij ka ardhur për shkak të papunësisë dhe varfërisë.
Nga të shtënat, bëjnë të ditur mediat italiane, një agjent i policisë ka mbetur i plagosur në njërin sy, por për fat të mirë nuk është në rrezik për jetën.
Papunësia, varfëria dhe mungesa e autoritetit shtetëror janë fenomene të pranishme në qytetin e Xhelës dhe jo pak herë verifikohen akte kriminale me qëllim vetëdrejtësinë.
Gjatë këtij viti, në qytetin e vogël janë djegur qëllimisht rreth 200 makina, që sipas autoriteteve policore janë një shenjë tipike e hakmarrjeve tribale për padrejtësitë e pësuara.
Sikundër shumë qyteteve të tjera të jugut, edhe Xhela nuk i ka shpëtuar gjithashtu fenomenit mafioz, me dy familje Emmanuelo dhe Rinzivilo, që për vite të tëra kanë diktuar ligj.
Top Channel