Në Ministrinë e Jashtme të Kosovës ka mbërritur nota verbale që zyrtarizon njohjen e shtetit ballkanas nga Republika e Fixhit.
Lajmin e ka bërë të ditur dikasteri në fjalë përmes një komunikate për shtyp, në të cilën saktësohet se nota është pranuar nga ministri Enver Hoxhaj.
“Në përputhje të plotë me njoftimin e dy ditëve më parë të kryeministrit Hashim Thaçi, për njohjen e Republikës së Kosovës nga ky shtet, nota verbale konfirmon këtë akt të rëndësishëm për shtetin tonë”, thuhet në komunikatë.
Sipas raportimeve të “REL”, vendimi në fjalë i qeverisë së Fixhit konfirmohet edhe në një letër që ministri i Jashtëm i këtij vendi i ka dërguar homologut Hoxhaj, ku gjithashtu shprehet gatishmëria për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se me këtë njohje formale, Fixhi shpreh gatishmërinë që të proçedohet me vendosjen formale të marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve tona”, thuhet në letrën e ministrit Inoke Kubuabola.
Republika e Fixhit shtrihet në pjesën jugore të oqeanit Paqësor, ka kryeqytet Suvan dhe një popullsi prej mbi 800 mijë banorë. Vendi është shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara nga tetori i vitit 1970.
Top Channel