
Ambasadori francez në Kosovë, Jean François Fitou ka vlerësuar popullin kosovar për maturinë e treguar me shmangien e përballjeve me palën serbe, sikurse po ndodh në Mitrovicë.
Diplomati francez është shprehur se, në rrugën e saj 13-vjeçare Kosova ka pasur shumë vështirësi, por arritjet e saj janë sipas tij shumë të mëdha.
“Duhen uruar autoritet kosovare dhe populli në përgjithësi për rezistencën dhe për refuzimin e konfrontimit. Kjo nuk ka të bëjë aspak me frikën e Kosovës, kufijtë e saj janë këtu dhe ekzistenca e saj është këtu, por duhet kohë që popullata e veriut të integrohet në mënyrë paqësore”, ka thënë Fitou.
Ambasadori është shprehur se Kosova është fitorja më e madhe e Kombëve të Bashkuara dhe i ka kërkuar popullit të saj që të ketë durim dhe besim në vetëvete.
Lidhur me situatën në veri, ku administrata ndërkombëtare largoi forcat speciale dhe pengoi ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve, zoti Fitou ka theksuar se situata është e komplikuar.
“Ajo që unë shpresoj për veriun është që kjo zonë të bëjë pjesë në tërësinë territoriale të Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme. E di sa e vështirë është kjo, por duhet që si ana veriore ashtu edhe ajo jugore t’i shtrijnë dorën njëra-tjetrës”, ka shtuar Fitou.
Top Channel