
E përditshmja kroate “Jutarnji List” ka akuzuar për mashtrim presidentin
e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç, në lidhje me
përcaktimin e datës për debatin mbi gjykatën e Hagës.
Gazeta pretendon se ish-shefi i diplomacisë serbe ka gënjyer kur ka deklaruar se, debati mbi punën e gjykatës së Hagës është caktuar pas lirimit të Ante Gotovinës dhe Mlladen Markaç, pasi sipas saj ai ishte caktuar më 21 shtator.
“Qëndrimi i ish-ministrit të Jashtëm serb dhe të pavërtetat që ai u shërben të tjerëve kompromentojnë jo vetëm atë, por edhe vetë Serbinë”, shkruan “Jutarnji List” në numrin e sotëm të saj.
Jeremiç kishte deklaruar se, ka kërkuar zhvillimin e një debati mbi punën e gjykatës së Hagës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pas lirimit të dy gjeneralëve kroatë.
Vendimi i Hagës u prit me tone të ashpra kritike nga Beogradi zyrtar, i cili deklaroi se gjykata mund të kërkojë nga Serbia vetëm bashkëpunim teknik dhe asnjë marrëdhënie tjetër.
Kështu vendosi qeveria e Serbisë në reagimin e saj ndaj lirimit nga Haga të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç.
Rasim Lajiç, shef i Këshillit kombëtar për bashkëpunim me gjykatën e Hagës, bëri të ditur vendimin si nismë e kryeministrit Ivica Daçiç për bllokimin e marrëdhënieve.
Ndërsa shoqëria civile u shpreh se vendimi do të vështirësojë proçesin e pajtimit dhe përpjekjet për të bindur serbët se gjykata e Hagës nuk është një gjyq për serbët.
Top Channel