Diplomatja Rice mbron deklaratat mbi Benghaz-in

22/11/2012 04:12

Susan Rice tha se vërejtjet e saj në një seri intervistash televizive më 14 shtator, ishin të bazuara në informacionet e shpërndara nga komuniteti i inteligjencës amerikane.

Rice është përballur me kritikat e republikanëve, pasi u shpreh se sulmet erdhën nga protestat kundër filmit anti-islamik.

Ajo pritet të jetë zgjedhja e ardhshme e presidentit Obama, si Sekretare e Shtetit.

Sekretarja aktuale, Hillary Clinton, nuk do të vazhdojë në rolin e saj gjatë këtij mandati të dytë 4-vjeçar.

Rice, 48 vjeç, është një aleate prej kohësh dhe një mbështetëse e Obama-s, teksa ky i fundit e ka mbrojtur së fundi në publik ndaj kritikave gjithmonë e në rritje, të kundërshtarëve politikë.

Kryesia e republikanëve beson se administrata Obama nuk u tregua e sinqertë me publikun mbi përfshirjen e Al-Qaeda-s në sulmin në Benghazi.

Seancat në Kongres kanë qenë një përpjekje për të kuptuar se çfarë ndodhi, duke u fokusuar në faktin, nëse CIA kishte dijeni mbi sulmin, ku përfshihej Al-Qaeda, apo Departamenti i Shtetit dështoi t’i ofronte sigurinë e nevojshme përfaqësuesve në Benghazi.

Sulmi vrau 4 amerikanë, përfshi ambasadorin amerikan në Libi, Chris Stevens, në përvjetorin e sulmeve të 11 shtatorit në New York dhe Washington DC.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA