Bin Laden, varrim me ritet e Islamit

22/11/2012 00:00

Asnjë marinar amerikan nuk mori pjesë në varrimin në det të Osama bin
Laden, në përfundim të një ceremonie të mbajtur në bordin e anijes “USS
Carl Vinson, ku u respektuan ritet islamike.

Kështu thuhet në disa email-e të brendshme që atëherë shkëmbyen oficerët e lartë të forcave të armatosura amerikane dhe tani të marra nga agjencia “Associated Press”, përmes Aktit të Lirisë së Informacionit.

Kjo është dëshmia e parë e një gjenerali amerikan të lëshuar nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara mbi vdekjen e numrit 1 të Al Kaedës.

Më herët gjatë vitit, disa media amerikane raportuan se sheiku i terrorit nuk ishte varrosur në det, sikundër u njoftua nga ushtria, por se trupi i tij ndodhej në morgun e një instituti të mjekësisë ligjore në Amerikë.

Bin Laden u vra nga komandot amerikanë të njësisë elitë Navy Seal, që bastisën kompleksin e tij rezidencial në Abotabad të Pakistanit.

Për të marrë më shumë informacion mbi këtë operacion, të interesuarit janë në pritje të filmit “Zero Dark Thirty”, që tregon pikërisht për përpjekjet e CIA-s për të lokalizuar sheikun dhe operacionin blic që i dha fund jetës së tij.

Filmi ishte planifikuar të shfaqej në sallat e kinemave amerikane në tetor, por u shty për nga fundi i vitit për shkak të polemikave se do të kishte promovuar figurën e presidentit Barack Obama në prag të zgjedhjeve të nëntorit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB