Armëpushim në Gaza

22/11/2012 00:00

Armëpushimi mbi të cilin ranë dakord të mërkurën Izraeli dhe lëvizja islamike e Hamasit duket se po mban edhe gjatë së enjtes. Radioja izraelite njoftoi se disa raketa janë qëlluar nga Gaza, por nuk
ka pasur shenja të një reagimi izraelit.

Gjatë natës mijëra banorë të
Gazës mbushën rrugët për të festuar armëpushimin, duke ngritur flamuj
dhe duke lëshuar fishekzjarre.

Po gjatë natës, Forcat Mbrojtëse të Izraelit deklaruan se kanë arrestuar 55
“terroristë operativë” në Bregun Perëndimor, në përpjekje për të rivendosur qetësinë.

Në Bregun Perëndimor ka pasur së fundmi një seri protestash kundër operacioneve të mbrojtjes izraelite, në disa prej të cilave janë regjistruar përleshje mes banorëve dhe ushtarëve.

Ndërkohë, Këshilli i Sigurimit i OKB-së u ka bërë thirrje dy palëve që ta respektojnë marrëveshjen e arritur, të ndërmjetësuar nga Egjipti.

Në reagimin e parë që nga nënshkrimi i marrëveshjes, Këshilli i Sigurimit ka komentuar edhe rolin e presidentit egjiptian Mohammed Mursi dhe personave të tjerë të përfshirë në përpjekjet diplomatike.

Sekretari i përgjithshëm i OBK-së, Ban Ki Moon, që është takuar me liderët rajonalë gjatë konfliktit, mirëpriti armëpushimin dhe tha se është urgjente që në Gaza të shpërndahen ndihma humanitare.

“Ne jemi të vetëdijshëm se ka shumë detaje që duhet të përcaktohen për një armëpushim solid dhe afatgjatë”, deklaroi Ki Moon në fjalën e tij.

Top Channel