Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar pas ndërhyrjes së administratës së UNMIK-ut në veri të Kosovës, kundër ndërtimit të shtëpive të shqiptarëve.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar Thaçi ka thënë se askush nuk mund të ndalojë ndërtimin e këtyre shtëpive, duke shtuar se për këtë veprim qeveria e Kosovës do t’i japë përgjigjen e duhur UNMIK-ut.
Sipas raportimeve të gazetës “Express”, kryeministri ka vlerësuar se ajo që ka ndodhur është një pengesë krejt e panevojshme, e ngritur nga disa njerëz të UNMIK-ut që gjenden atje.
“UNMIK-u nuk ka as të drejtë morale e as legjitime që të pengojë apo të pretendojë të pengojë ndërtimin e shtëpive dhe rikthimin e qytetarëve në pronat e tyre”, ka theksuar Thaçi.
Për më tepër, ai ka shtuar se do të diskutojë për këtë çështje edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në mënyrë që Policia e Kosovës të jetë pranë qytetarëve në veri dhe të sigurojë kushtet e sigurta për vazhdimin e punimeve në ato hapësira ku janë pronarë qytetarët.
“Gjithashtu, për këtë çështje do të flas edhe me shefin e UNMIK-ut pas kthimit të tij nga Beogradi. Qeveria e Kosovës do të përgjigjet në mënyrën e duhur për këtë çështje”, ka vijuar Thaçi.
Ndër të tjera, në mbledhjen e kabinetit qeveritar janë miratuar disa projekt-strategji, ndërkohë që është vendosur që pushimi për festën e 28 Nëntorit të jetë vetëm të mërkurën.
Top Channel