
Një bombë ka shpërthyer në një autobus në qendër të Tel Avivit, në një
prej rrugëve më të frekuentura të qytetit izrealit. Deri tani flitet për
rreth 20 të plagosur, disa prej tyre në gjendje shumë të rëndë.
Policia izraelite ka deklaruar se bëhet fjalë për një akt terrorist. Edhe zëdhënësi i Kryeministrit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar ngjarjen si akt terrorist. Sipas të përditshmes “Haaretz” kanë nisur kërkimet për gjetjen e autorëve, çka do të thotë se nuk bëhet fjalë për një akt terrorist kamikaz. Sipas të dhënave të para, mjeti shpërthyes ka qenë i futur në një çantë.
Pjesa më e madhe të lënduarve janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.
Në Rripin e Gazës, menjëherë sapo stacionet radiofonike dhanë lajmin, janë të dëgjuar të shtëna në ajër, shenjë kjo e triumfit.
Goditet Gaza, pavarësisht bisedimeve për paqe
Të paktën 20 palestinezë janë vrarë gjatë të martës, sipas raportimeve.
Dy izraelitë, një ushtar dhe një civil, kanë ndërruar jetë gjithashtu
nga sulmet me raketa.
Më herët, zyrtarë egjiptianë dhe palestinezë thanë se armëpushimi mund të njoftohej së shpejti, teksa vazhdojnë bisedimet në Cairo. Por, zëdhënësi izraelit, Mark Regev, ka thënë për BBC se asnjë marrëveshje nuk është arritur ende.
“Nuk kam aspak dyshime se Hamas do të ndihet mëse i lumtur, nëse do të gjejë paksa kohë për frymëmarrje. Kështu, ata do të mund të pushojnë, do të riarmatosen dhe do të kemi sërish sulme me raketa ndaj Izraelit javën e ardhshme, apo muajin tjetër. Nuk jemi të interesuar për këtë zgjidhje”, tha ai.
Gjatë së martës, një zyrtar i lartë i Hamas, Izzat Risheq, tha se marrëveshja nuk do të mund të arrihej përpara mëngjesit të së mërkurës. Ushtria izraelite bëri të ditur se sulmet e reja të saj kanë vënë nën shënjestër “dy operativë të gabuar” në qendër të Rripit të Gazës.
Pasditen e së martës, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, mbërriti në Izrael, në përpjekje për të siguruar armëpushimin. Ajo tha se do të punonte së bashku me Izraelin dhe Egjiptin për të vendosur paqen në Gaza “në ditët në vazhdim”.
Ajo shtoi gjithashtu se “është esenciale të ulej tensioni midis palëve” në Gaza dhe mirëpriti përpjekjet ndërmjetësuese të egjiptianëve. Netanyahu tha se Izraeli do të mirëpriste çdo lloj zgjidhjeje diplomatike, por paralajmëroi se është i gatshëm të ndërmarrë “çdo veprim” të nevojshëm.
Pas bisedimeve të orëve të natës me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, zonja Clinton pritet të udhëtojë në Ramallah dhe Cairo, gjatë së mërkurës.
Ushtria izraelite bëri të ditur se rreth 150 raketa ishin lëshuar nga Gaza në drejtim të Izraelit gjatë ditës së martë, shumica e të cilave u kapën nga sistemi i mbrojtjes “Iron Dome” të Izraelit.
U bë gjithashtu e ditur se një prej ushtarëve të këtij shteti u vra në zonën Eshkol nga një raketë, si dhe një punëtor civil, i cili punonte për Ministrinë e Mbrojtjes, në zonën Negev.
Luftuesit e ndarë të Hamas kanë ekzekutuar 6 njerëz, pasditen e së martës, pasi i akuzonin ata si “spiunë” të Izraelit. Një dëshmitar tha për agjencinë e lajmeve AFP: “Persona të armatosur në një automjet i tërhoqën ata deri në lagje, i nxorrën jashtë dhe i qëlluan menjëherë”. Një prej viktimave u tërhoq më pas nga luftëtarët e Hamas i lidhur pas një motorri.
Top Channel