Ministri i Jashtëm serb, Ivan Mrkiç ka deklaruar se Serbia është gati të heqë dorë nga anëtarësimi në BE në rast se i vendoset si kusht njohja e pavarësisë së Kosovës.

“Nëse ndodh kështu, atëherë ne do të heqim dorë nga anëtarësimi”, ka thënë Mrkiç në një intervistë për gazetën gjermane “Der Tagespigel”.

Shefi i diplomacisë serbe nuk është shprehur kundër opsionit të ndarjes së Kosovës ose atij të shkëmbimit të territoreve, por ka nënvizuar se një gjë e tillë duhet t’u lihet bisedimeve.

“Historia na ka mësuar se përpara bisedimeve politike, të gjitha opsionet vendosen në tavolinë”, ka nënvizuar Mrkiç.

Ai është shprehur i bindur se, nëse pala tjetër dëshiron në bisedime mund të arrihet një zgjidhje konsensuale dhe ka shtuar se, vijat e kuqe për Serbinë i vendos kushtetuta e vendit.

Muajin e kaluar, kur ndodhej për një vizitë në Tiranë, pyetjes së Top Channel se kur Serbia do të kërkojë falje për genocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve në Kosovë, Mrkiç dha këtë përgjigje:

“Jam shumë i emocionuar kur përmendët fjalën genocid. Ne serbët e kemi provuar një gjë të tillë. Kemi interpretime të ndryshme për sa i përket historisë. Duhet t’i referohemi sa më pak kësaj. Këtë t’ja lëmë historianëve dhe njerëzve të shkencës. Ne si qeveri dhe si politikanë do të përpiqemi që të vëmë në plan të parë gjithçka që na bashkon”.

Kjo përgjigje e ministrit Mrkiç është shprehje e qartë e vendosmërisë së qeverisë serbe për të mos iu referuar të shkuarës së afërt dhe të dhimbshme për popullin e Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA