Vendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës përmes së cilit rasti “Kleçka” do të kthehet në rigjykim që nga fillimi, është befasues për qeverinë e Kosovës.

Zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi, në një konferencë për mediat ka thënë gjatë së mërkurës se, besojnë në drejtësi dhe në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që sipas tij është në përputhje me normat ndërkombëtare.

I pyetur se, përse këto proçese gjyqësore po ndodhin në kohën kur janë duke u mbajtur zgjedhjet brenda PDK-së, ai nuk ka dashur t’i ndërlidhë këto dy çështje.

Gjithashtu, Kuçi nuk ka dashur të komentojë as deklaratat e avokatëve, të cilët thanë gjatë ditës së djeshme se ky proçes është i ndikuar nga politika.

Trupa e Gjykatës Supreme të Kosovës aprovoi të martën pjesërisht kërkesën e prokurorit të EULEX-it për kthimin për rigjykim të çështjes “Kleçka”, ku janë të përfshirë Fatmir Limaj dhe 3 ish-bashkëluftëtarë.

Gjykata vendosi që çështja të rihapet, por nuk pranoi kërkesën e palës së akuzës që në të të merren parasysh dëshmitë e Agim Zogajt, i njohur ndryshe si “Dëshmitari X”.

Gjithashtu, trupi gjykues hodhi poshtë edhe kërkesën tjetër të prokurorit, atë për paraburgimin e Limajt dhe tre ish-bashkëpunëtorëve të tij, Naser Shala dhe Nexhmi e Naser Krasniqi.

Limaj dhe bashkëluftëtarët e tij akuzohen nga prokuroria e misionit evropian për krime lufte të kryera ndaj popullsisë civile në fshatin Kleçkë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA