Gjenerali kroat Ante Gotovina ka folur mbrëmjen e së martës para një turme të madhe që po e priste në qytetin e tij të lindjes, Pakostane.

Sipas agjencisë së lajmeve “Hina”, gjatë fjalës së tij përpara rreth 30 mijë vetëve, Gotovina u shpreh i lumtur që më në fund, pas shumë vitesh, arriti të kthehet në shtëpinë e tij.

“Gëzohuni miq të dashur, sepse kjo është nata jonë, nata e fitores tonë. Pas shumë vitesh po kthehem në shtëpi dhe jam sonte këtu me ju”, u tha gjenerali të pranishëmve.

Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës liroi javën e kaluar nga akuzat ish-gjeneralët kroatë të luftës, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Të dy ata u kthyen brenda ditës në Kroaci, ku u pritën si heronj nga qytetarët, veteranët, ish-luftëtarët, si dhe nga kryeministri dhe autoritete të tjera.

Vendimi i Hagës u prit me tone të ashpra kritike nga Beogradi zyrtar, i cili deklaroi se gjykata mund të kërkojë nga Serbia vetëm bashkëpunim teknik dhe asnjë marrëdhënie tjetër.

Kështu vendosi qeveria e Serbisë në reagimin e saj ndaj lirimit nga Haga të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç.

Rasim Lajiç, shef i Këshillit kombëtar për bashkëpunim me gjykatën e Hagës, bëri të ditur vendimin si nismë e kryeministrit Ivica Daçiç për bllokimin e marrëdhënieve.

Vetë Daçiç reagoi pak ditë më parë duke thënë se lirimi i gjeneralëve kroatë do të ndikojë në proçesin e ripajtimit. E të njëjtit mendim u shpreh edhe shoqëria civile, e cila theksoi se do të jetë e vështirë për ta që të bindin serbët që gjykata e Hagës nuk është një gjyq për serbët.

Top Channel