
Situata në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e tensionuar. Një shpërthim i fuqishëm tronditi mëngjesin e së merkurës lagjen “Kroi i Vitakut”, në të cilën shqiptarët po rindërtojnë shtëpitë e tyre.
Sipas policisë nuk pati dëme në njerëz e as në materiale, por edhe pse nuk dihen autorët, duket se qëllimi është një: frikësimi i banorëve shqiptarë.
E pikërisht disa orë pas kësaj ngjarjeje, qindra serbë protestuan në veri pranë urës kryesore. Ata shfaqën hapur qendrimin e tyre kundër kthimit të shqiptarëve në lagjen “Kroi i Vitakut”.
Protesta u organizua nga kryetari i komunës ilegale të veriut të Mitrovicës, Kerstimir Pantiq. Ai ftoi edhe njëherë serbët, që të kundërshtojnë përpjekjet e faktorit shqiptar dhe ndërkombëtar për akomodimin e shqiptarëve, të cilët sic tha ai nuk kanë jetuar kurrë më përpara në veri.
Kerstimir Pantic, kryetar i komunës ilegale të veriut të Mitrovicës: “E ardhmja jonë është në duart tona dhe kurrë nuk do të lejojmë të imponohemi nga institucionet kosovare, apo që nga ne të krijojnë “’kosovarë” dhe nga krahina veriore edhe një shtet shqiptar apo “Shqipërine e madhe”. Arsyeja e këtij tubimi është dhuna e shkaktuar në vendbanimin Berxhani, ku shqiptarët tentojnë prej dhjetë vitesh radhazi të strehojnë shqiptarët, të cilët kurrë nuk kanë jetuar më parë në veri, duke tentuar që me këtë ta ndryshojnë strukturën etnike të banorëve, në këtë mënyrë të kryejnë spastrim etnik të Mitrovicës”.
“Pasi kanë dështuar ta bëjnë këtë me armë, tani mundohen ta arrijnë nëpërmjet mënyrave të tjera. Fatkeqësisht këtu e kanë edhe përkrahjen e ndërkombëtarëve. Sot në mëngjes kam thirrur përfaqësuesit e UNMIK-ut, që të reagojnë dhe ta ndërpresin ndërtimin e egër në këtë pjesë. Fatkeqësisht as këta të fundit, Stephan Velvik dhe zëvendësuesi i tij, befasisht janë larguar nga Mitrovica dhe kanë vendosur të marrin pushim vjetor”.
Në të njëjtën kohë, serbët janë duke protestuar edhe në Rudar dhe Zubinpotok dhe në këtë mënyrë kanë bllokuar rrugët magjistrale, që lidhin Mitrovicën me pikat kufitare në veri të Kosovës. Vlen të theksohet se policia e Kosovës nuk duket, por vetëm mbrojtja civile e Serbisë.
Qëndrimi i serbëve, qoftë edhe me tone kërcënuese, tashmë është bërë pjesë e përditshmërisë së shqiptarëve, të cilët dëshirojnë të kthehen në pronat, që i braktisën gjatë luftës. Nëpër rrugët e lagjes takojmë kryesisht banorë të veshur me rroba pune, të cilët, pavarësisht tensioneve, shprehen të vendosur për vazhdimin e punimeve.
Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës: “Në orët e mëngjesit të sotëm patëm një incident të shpërthimit në lagjen e Kroit të Vitakut dhe atje, një numër i pjesëtarëve të policisë së Kosovës është përqendruar për aspektin e sigurisë”.
Në formë reagimi ndaj situatës, komuna e Mitrovicës mblodhi Komitetin e Sigurisë në një takim të jashtëzakonshëm. Kryetari i qytetit, Avni Kastrati, tha se përkundër kërcënimeve dhe incidenteve, që janë duke krijuar strukturat paralele serbe në veri, rindërtimi i shtëpive të djegura dhe të shkatërruara në luftë nuk do të ndërpritet.
Top Channel