Me tërheqjen e trupave të fundit nga provinca verilindore e Kapisës, Franca mbylli para kohe misionin e saj luftarak në Afganistan.
Largimi i 500 trupave të mbetur u bë në kuadër të zotimit të presidentit Francois Hollande, për të përshpejtuar tërheqjen e francezëve nga vendi i trazuar.
Në këtë vendim kishte ndikuar një seri e gjatë vrasjesh, përfshirë sulmin e ushtarit afgan në muajin janar, që i mori jetën 5 ushtarëve francezë.
Në total, 88 trupa franceze janë vrarë gjatë 10 viteve të fundit në Afganistan. Shumica e vdekjeve është shënuar pikërisht në Kapisa.
Franca ka qenë kontribuesi i pestë më i madh i koalicionit të NATO-s dhe vazhdon të ketë atje 1 mijë e 500 ushtarë, të cilët do të ndihmojnë në kthimin e pajisjeve dhe stërvitjen e forcave afgane.
Trupat e mbetura ndërkombëtare në Afganistan pritet të largohen nga fundi i vitit 2014. Pas episodit të rëndë të muajit janar, presidenti i atëhershëm Nicolas Sarkozy pati deklaruar se Franca do t’i jepte fund misioneve luftarake në 2013-tën.
Njeriu që e mundi në zgjedhjet e këtij viti, Hollande, ishte zotuar ta afronte këtë afat me një vit.
Top Channel