Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, u takua të mërkurën me Presidentin e Egjiptit, Mohamed Mursi, në kuadrin e turit të saj në Lindje e Mesme, synimi i të cilit është rikthimi i paqes në Gaza.
Nëpërmjet deklaratave të tij, Mursi është shndërruar në mbrojtësin më të vendosur të palestinezëve në Rripin e Gazës, duke luajtur rolin e një ndërmjetësi midis dy palëve.
Clinton mbërriti në Kajro pasi ndaloi në Izrael, ku në prani të kryeministrit Benjamin Netanyahu, Clinton përsëriti mbështetjen amerikane për Tel Avivin dhe të drejtën e Izraelit për t’u vetmbrojtur.
Megjithatë, ajo i kërkoi Izraelit që të angazhohet seriozisht në rrugën e bisedimeve, duke argumentuar se një paqe afatgjatë nuk mund të arrihet nëpërmjet rrugës së armëve, por vetëm me bisedime gjithpërfshirëse.
Një ditë më parë, mediat ndërkombëtare raportuan se armëpushimi ishte i afërt, por shpërthimi i ndodhur në një autobuz urban në Tel Aviv gjatë mëngjesit të së mërkurës vendosi seriozisht në pikëpyetje jetëgjatësinë dhe qëndrueshmërinë e paqes.
Top Channel