
Izraeli dhe lëvizja palestineze Hamas që qeveris në Gaza, ranë dakort për pushimin e zjarrit që për një javë u mori jetën të paktën 160 personave, përgjithësisht palestinezë.
Lajmi njoftohet nga ndërmjetësuesit egjiptianë dhe zyrtarë të vetë organizatës palestineze. Përflitet që armëpushimi do të hyjë në fuqi në orën 21:00 me orën lokale të së mërkurës.
Korespondenti i BBC-së për Lindjen e Mesme, Jeremy Bowen thotë se detajet e marrëveshjes mbeten ende për t’u zbardhur, por mësohet se Izraeli kërkon që t’u jepet fund të gjitha sulmeve me raketa nga Gaza në drejtim të territorit të tij.
Ndërkohë Hamasi nga ana e tij përvec ndaljes së bombardimeve ajrore të Gazas ka kërkuar edhe fundin e bllokadës izraelite të Rripit të Gazas.
Në një njoftim të zyrës për media të kryeministrit Netanyahu thuhet se Izraeli ka rënë dakort me propozimet por kërkon siguri që heqja e bllokadës të mos shfrytëzohet për armatosjen e Hamasit.
Para marrëveshjes, Netanyahu ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Barack Obama ku ka pranuar sugjerimin e tij “për t’i dhënë një shans propozimit egjiptian për armëpushimin.
Megjithatë skeptikët thonë se njoftime të ngjashme u publikuan ditën e martë, por asnjë marrëveshje armëpushimi as u arrit e as u respektua. Për të parë nëse lajmi i publikuar rishtazi është i vërtetë do të duhen ndoshta edhe disa orë.
Ndërkohë, në Tel Aviv shpërthimi i një bombe vendosur në një autobus shhkaktoi plagosjen e të paktën 22 persona, ndërsa hakmarrja izraelite me bombardimet në qytetin e Gazas shkaktoi 4 të vrarë.
Në rajon ndodhet Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton e cila u ndal fillimisht në Egjipt ku u takua me presidentin Mohamed Morsi dhe Ministrin e Jashtëm vendas përkrah të cilit u dha lajmi i marrëveshjes mes Izraelit dhe Hamasit.
Reagime ka patur edhe në vendet e rajonit. Lideri Suprem iranian, Ajatollahu Khamenei dënoi sulmet ndaj Gazas dhe i cilësoi udhëheqësit izraelitë si “gjakatarë”. Ashpër më herët ka reaguar edhe Turqia. Kryeministri Erdogan e cilësoi shtetin izraelit një shtet terrorist, pasi sic tha ai, vetëm një shtet i tillë vret fëmijët.
Top Channel