Alarmi për ndryshimet klimaterike në Europë

21/11/2012 15:50

Efektet e ndryshimeve klimaterike janë bërë tejet të qarta në Europë dhe situata pritet të përkeqësohet, paralajmëroi të mërkurën Agjensia Europiane e Mjedisit.

Në raportin e saj shkruhet se dekada e shkuar ka qenë më e nxehta në kontinent që prej fillimit të regjistrimit të temperaturave.

Si rrjedhojë, dëmtimet nga moti ekstrem, shoqëruar me përmbytje të shumta janë në rritje.

Ky raport publikohet përpara konferencës për klimën, që do të zhvillojë gjatë javës së ardhshme Organizata e Kombeve të Bashkuara.

”Çdo e thënë na bën të qartë se jemi në mes të një procesi të ngrohjes dhe ndryshimit të kushteve klimaterike, që shoqërohet me ndërlikime dhe dëme të shumta kudo në Europë”, deklaroi drejtoresha ekzekutive e AEM-it, Jacqueline McGlade.

”Kjo nuk është vetëm një statistikë, që flet për rritjen e temperaturave, por një e dhënë me kosto të shumta njerëzore, në pyje, lumenj, dete, agrikulturë, biodiversitet dhe faunë. Sinjalet janë të qarta dhe po vijnë nga i gjithë kontinenti. Nëse nuk reagojmë në mënyrë të vendosur menjëherë, në të ardhmen këto ndërlikime vetëm mund të përkeqësohen”, paralajmëroi ajo.

Aktualisht, Konventa e OKB-së për Ndryshimet Klimaterike ka vendosur si objektiv kufizimin e rritjes së temperaturave me dy gradë që nga koha paraindustriale.

Megjithatë, siç shkruhet në raportine  AEM-it, mjafton një ndryshim shumë më i vogël, prej të dhjetash të një gradi, për të rritur në mënyrë të ndjeshme efektet negative, midis të cilave përmbytjet dhe dëmi në ekosistemet e ndryshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA