Propaganda institcionale serbe ndaj gjykimit të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj në Hagë, e egërsuar së fundmit pas lirimit të kroatit Gotovina, duket se ka detyruar qeverinë e Kosovës të bëjë një deklaratë.

Qeveria kërkon nga autoritetet e Serbisë dhe të tjerët që të jenë të përmbajtur dhe të mos tentojnë të ndikojnë në vendimet gjyqësore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke përcjellë më vëmendje të veçantë proçesin në gjykatën e Hagës ndaj ish-komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së, Ramush Harandinaj dhe bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Qeveria dhe të gjitha institucionet e vendit kanë respektuar çdo bashkëpunim me Hagën dhe në këtë kuadër Republika e Kosovës është shembull i mirë i bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Në të theksohet se, qeveria dhe populli i Kosovës gjithmonë kanë besuar në drejtësinë ndërkombëtare dhe në luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës rithekson se drejtësia duhet të jetë e pavarur, e paanshme dhe profesionale, dhe të mos ndikohet nga askush, e as nga politika. Deklaratat e zyrtarëve të lartë institucionalë të Serbisë janë tendencë për të ndikuar në vendimin e Hagës për rastin e zotit Haradinaj”, thuhet në deklaratë.

Nga ana e saj, qeveria e Kosovës ka qenë e kujdesshme në deklaratat lidhur me proçeset gjyqësore në Hagë dhe në këtë drejtim ajo kërkon që edhe autoritetet e Serbisë dhe të tjerët të jenë të përmbajtur dhe të mos tentojnë të ndikojnë në vendimet gjyqësore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson se gjykata e Hagës do të marrë një vendim të drejtë dhe të pandikuar”, përfundon deklarata.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA