Në Kosovë vazhdon jehona e rikthimit të eshtrave të mbretit Zog. Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi është udhëheqësi i radhës që shpreh qëndrimin e tij.
Ai thotë se nuk njeh ndonjë princ apo mbret të Shqipërisë, pasi siç thotë ai, “në Shqipëri në vitet e 90-të është mbajtur referendumi ku është vendosur se cili është rendi kushtetues i Republikës së Shqipërisë”.
Kreu i legjislativit, i pyetur nga mediat në ka marrë ftesë nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha për rivarrimin e mbretit Zog, ku në ceremoni ishte e pranishme Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi se nuk i kishte mbërritur asnjë ftesë, por edhe në rast se do ta kishte pasur, përsëri nuk do të kishte marrë pjesë në ceremoni.
“Unë nuk kam pasur ftesë nga Kryeministri i Shqipërisë që të jem aty. Ju e dini se Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton Shqipërinë republikë parlamentare. Gjithashtu, po ju rikujtoj që në Shqipëri, pas viteve të 90-ta është bërë një referendum popullor dhe qytetarët e Shqipërisë kanë vendosur se cili do të jetë rendi kushtetues i Republikës së Shqipërisë dhe me këtë kushtetutë, përjashtohet që dikush të vazhdojë të mbajë titullin mbret apo princ i Shqipërisë”, argumentoi Krasniqi.
Ditë më parë, edhe kryeministri Hashim Thaçi deklaroi në foltoren e Kuvendit se personaliteve si Zogu dhe disa të tjerëve, “shqiptarët nuk ia kanë parë kurrë hajrin”. Ndërkohë, rolin e luajtur nga Zogu e ngriti lart Presidentja Jahjaga gjatë ceremonisë së rivarrimit në Tiranë.
Top Channel