Ndonëse marrëveshja e Dejtonit ka shërbyer vetëm për të ndaluar luftën në Bosnje në vitin 1995, kryeministri serb, Ivica Daçiç thekson se edhe për Kosovën është i mundshëm një lloj Dejtoni i ri.

Në përvjetorin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, që për shumë boshnjakë dhe ekspertë ndërkombëtarë solli vetëm komplikime, ndërsa për serbët krijimin e një territori të veçantë të njohur me emrin Republika Serbe, Daçiç ka theksuar se ky shembull mund të jetë model.

“Republika Serbe është entiteti i parë në historinë serbe përtej Drinës dhe për këtë arsye ky dokument meriton të jetë historik edhe në historinë e popullit serb”, ka thënë Daçiç.

Ai ka theksuar se, Serbia dëshiron marrëdhënie të mira me tërë Bosnjën, por edhe të veçanta me serbët e atjeshëm. “Ne të gjithë kemi histori të përbashkët dhe jam i sigurt edhe për një të ardhme të përbashkët”, ka thënë Daçiç.

Takimi i ardhshëm mes të kryeministrit Daçiç dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaçi pritet të qartësojë zbatimin e marrëveshjes për kontrollin e kufijve, ndërsa kreu i qeverisë serbe ka qenë i pari që ka hedhur idenë e ndarjes së Kosovës edhe para fillimit të bisedimeve.

Marrëveshja në fjalë, e arritur në fazën e mëparshme të bisedimeve Kosovë-Serbi, refuzohet nga një pjesë e spektrit politik serb, si dhe nga serbët e veriut të Kosovës. Ata pretendojnë se me zbatimin e kësaj marrëveshjeje Serbia do të shkojë gradualisht drejt njohjes së Kosovës si shtet i pavarur. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA