Ambasadori gjerman në Beograd, Heinz Wilhem ka përsëritur apelin drejtuar qeverisë serbe që të largojë nga veriu i Kosovës strukturat paralele.
“Gjermania do të vazhdojë t’i bëjë thirrje Serbisë që të heqë strukturat parapolicore dhe paraushtarake nga veriu i Kosovës”, ka deklaruar Wilhem.
Në një intervistë për gazetën serbe “Dnevnik”, diplomati gjerman ka nënvizuar se, askush nuk i kërkon Serbisë të njohë Kosovën, por vetëm të normalizojë marrëdhëniet me të.
“Plani i Ahtisarit parashikon autonomi të gjerë kur është fjala për qeverisjen lokale, kulturën, arsimin. Komuniteti serb duhet t’i shfrytëzojë këto përfitime”, ka thënë ndër të tjera Wilhem.
Ai ka shtuar më tej se, vetëm përmes progresit në dialogun dypalësh të ndërmjetësuar nga BE, Serbia mund të marrë datën për nisjen e negociatave për anëtarësimin në BE.
Top Channel