Takimi i radhës mes kryeministrit kosovar Hashim Thaçi dhe homologut serb Ivica Daçiç do të mbahet në fillim të muajit të ardhshëm.
Sipas raportimeve të agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, që citon burime konfidenciale nga KE, data e saktë nuk është përcaktuar ende.
Megjithatë, burimi mediatik nënvizon se tema kryesore e bisedimeve, edhe këtë herë të ndërmjetësuara nga baronesha Ashton, pritet të jetë ajo për menaxhimin e integruar të kufijve.
Marrëveshja në fjalë, e arritur në fazën e mëparshme të bisedimeve Kosovë-Serbi, refuzohet nga një pjesë e spektrit politik serb, si dhe nga serbët e veriut të Kosovës.
Ata pretendojnë se me zbatimin e kësaj marrëveshjeje Serbia do të shkojë gradualisht drejt njohjes së Kosovës si shtet i pavarur.
Nga ana tjetër, kryeministri kosovar Hashim Thaçi njoftoi më herët se zbatimi i marrëveshjes në në fjalë do të fillojë në dhjetor të këtij viti në katër pika kufitare, në Jarinjë, Bërnjak, Merdare dhe tek Dheu i Bardhë.
Gjithashtu, shefi i qeverisë mohoi pretendimet serbe se EULEX do të ketë një rol ekzekutiv në pikat kufitare me Serbinë. Gjithashtu, Thaçi përjashtoi në mënyrë kategorike që gjatë proçesit të bisedimeve pala kosovare të pranojë shpalljen e autonomisë për veriun e Kosovës.
“Tashmë edhe Bashkimi Evropian është duke i artikuluar këto çështje dhe duke ja bërë me dije Serbisë se ndarjet do të mbeten gjithmonë ëndrra të parealizueshme”, nënvizoi Thaçi gjatë raportimit në Parlament.
Top Channel