Zëvendëskryeministrja e Serbisë, Suzana Grubjeshiç ka anuluar vizitën në Kroaci të planifikuar për në fund të muajit, në shenjë proteste ndaj lirimit të gjeneralëve kroatë Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç nga gjykata e Hagës.

Sipas “REL”, Grubjeshiç do të vizitonte Zagrebin më 27 nëntor për të firmosur zgjatjen e protokollit të bashkëpunimit Serbi-Kroaci, në kuadër të integrimit evropian.

“Nuk janë as koha, as rrethanat dhe as atmosfera e duhur për të zhvilluar këtë vizitë. Nuk do të ndihesha rehat në një atmosferë që ndikon negativisht tek serbët dhe Serbia”, ka deklaruar Grubjeshiç.

Dhoma e Apelit e Gjykatës së Hagës liroi javën e kaluar nga akuzat ish-gjeneralët kroatë të luftës, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tyre.

Të dy ata u kthyen brenda ditës në Kroaci, ku u pritën si heronj nga qytetarët, veteranët, ish-luftëtarët, si dhe nga kryeministri dhe autoritete të tjera.

Vendimi i Hagës u prit me tone të ashpra kritike nga Beogradi zyrtar, i cili deklaroi se gjykata mund të kërkojë nga Serbia vetëm bashkëpunim teknik dhe asnjë marrëdhënie tjetër.

Kështu vendosi qeveria e Serbisë në reagimin e saj ndaj lirimit nga Haga të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mlladen Markaç.

Rasim Lajiç, shef i Këshillit kombëtar për bashkëpunim me gjykatën e Hagës, bëri të ditur vendimin si nismë e kryeministrit Ivica Daçiç për bllokimin e marrëdhënieve.

Vetë Daçiç reagoi një ditë më parë duke thënë se lirimi i gjeneralëve kroatë do të ndikojë në proçesin e ripajtimit. E të njëjtit mendim u shpreh edhe shoqëria civile, e cila theksoi se do të jetë e vështirë për ta që të bindin serbët që gjykata e Hagës nuk është një gjyq për serbët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA