Skena politike në Kosovë është e ndarë sa i përket vlerësimeve për figurën e Ahmet Zogut, i rivarrosur gjatë fundjaves në Tiranë.
Fillimisht për të ka folur kryeministri Hashim Thaçi, i cili gjatë një seance të Kuvendit ka thënë shkurt se figurës si puna e Zogut nuk ia kanë parë shumë hajrin shqiptarët.
“Këtu u përmendën edhe personalitete historike si ajo Pashiç, Esat Pashës, Zogut, Kragjorgjeviçit, Titos, etj. Asnjërit prej këtyre shqiptarët nuk ia kanë parë hajrin”, deklaroi Thaçi.
I pyetur për këtë deklaratë, zëvëndëskryeministri Hajredin Kuçi gjatë së hënës dha shkurt këtë përgjigje: “Kur flet kryeministri më në qeveri kush nuk flet…”.
Në anën tjetër, partitë politike opozitare në Kosovë janë të ndarë sa i përket kësaj teme. Visar Ymeri nga Vetëvendosje thotë se, nëse kryeministri ka menduar ashtu, atëherë pajtohen me këtë deklaratë, ndërkohë që shfaqin rezerva të mëdha për figurën e Ahmet Zogut.
“Duke pasur parasysh mënyrën se si Zogu ka ardhur në pushtet, si ka shitur territoret për të qëndruar në pushtet dhe largimin e tij gjatë pushtimit italian, mund të thuhet se kjo nuk ka pasur asnjë dobi për shqiptarët”, thotë Ymeri.
Ndryshe mendojnë dy partitë e tjera opozitare, AAK dhe LDK. Burim Ramadani, sekretar i përgjithshëm i AAK-së, thotë se duhet respektuar vepra e mbretit Zog në konsolidimin e shtetit shqiptar. Sipas tij, sjellja e eshtrave të Ahmet Zogut është një veprim i vonuar, por i mirëseardhur.
“Besojmë se duhet respektuar vepra dhe puna e mbretit Zog për formimin e shtetit shqiptar, për ndërtimin e administratës publike, ushtrisë, etj”, thotë Ramadani.
Top Channel ka kontaktuar edhe shefin e grupit parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri. Ai ka thënë nëpërmjet telefonit se një delegacion i lartë i LDK-së ka marrë pjesë në ceremoninë e rivarrimit të Zogut.
Top Channel