Ekspozita e flamujve e Artan Lames ka shfaqur më së shumti flamuj në historinë e Luginës së Preshevës. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, së bashku me përfaqësuesit socialistë, e kanë vlerësuar si një ngjarje të paparamenduar më parë.

Kori i fëmijëve të shkollës fillore “Ibrahim Kelmendi”, me një shqipe të pastër, kanë kënduar himnin shqiptar dhe këngë të tjera duke sjellë emocione për pjesëmarrësit.

Flamuri shqiptar për Luginën e Preshevës është i ndaluar pasi me ligjet e Serbisë në institucione nuk mund të përdoret simboli i një shteti tjetër, por kuqezija ka ngjyrat më të ndezura në këtë vend pasi ata e ndjejnë veten të diskriminuar dhe larg idesë së tyre për atdheun.

Por, përfaqësuesit nga Shqipëria u kanë thënë atyre se janë pjesë e paharruar e kombit.

“Historia na mëson shumë për kryelartësinë e kësaj shqiponje. Shqiponja është e përjetshme për shqiptarët, ashtu si ideali kombëtar”, theksoi Rama.

Liderët e Luginës së Preshevës u kanë thënë atyre të Shqipërisë se flamuri kuqezi për ta nuk është vetëm një simbol.

Ragmi Mustafa, kryetar i Preshevës, tha: “Edhe ne jemi shqiptarë të Shqipërisë, pjesë e shtetit shqiptar të shpallur në 28 nëntor 1912.”

Pas duartorkitjeve, emocioneve dhe takimeve, Rama u nderua me mirënjohje nga organizatorët e ekpozitës në Preshevë për shkak të angazhimit të tij për këto treva.
 
Erion Velia është nderuar nga shoqëria civile për shkak të aktivizimit qytetar.
 
Presheva dhe Korça do të binjakëzohen si dy qytete dhe pjesë e delegacionit ka qenë edhe kryebashkiaku i këtij qyteti, Niko Peleshi.
Në fund të vizitës, delegacioni nderoi dëshmorët e luftës së Luginës së Preshevës.

Top Channel