FARC ul armët për Krishtlindje

19/11/2012 00:00

Në ditën e parë të nisjes së bisedimeve për paqen me përfaqësuesit e qeverisë, rebelët e FARC-ut në Kolumbi, lajmëruan armëpushimin e njëanëshëm me rastin e Krishtlindjeve.

Pushim-zjarri i njoftuar nga radikalët majtistë kolumbianë do të hyjë në fuqi ditën e martë dhe do të qendrojë deri më 20 janar në respektim të festës. Lajmi u njoftua nga negociatori i rebelëve në bisedimet me qeverinë, Ivan Marquez.

FARC dhe qeveria kanë hyrë në fazën e dytë të bisedimeve të paqes. Bisedimet nisën në Havana të Kubës dhe ashtu sic është parashikuar, ato do të jenë në nivelin teknik për të përcaktuar përfitimet e secilës palë nga procesi i paqes.

Këto janë bisedimet e para direkte mes dy palëve në dekadën e fundit. Procesi i bisedimeve për paqe nisi në një hotel në Norvegji dhe negociatat pritet të zgjasin për muaj me radhë.

Në një deklaratë të përbashkët të dyja palët ranë dakort për nisjen e fazës së dytë të bisedimeve që më pas do të zhvendosen në kryeqytetin kuban, Havana. Faza e parë e këtij procesi, ajo që rivendosi kontaktet mes dy palëve u zhvillua përgjatë muajit shkurt.

Përfaqësuesi i qeverisë në këto bisedime tha se të dyja palët ranë dakort për nevojën e ndryshimeve sociale në vend që duhet të pasqyrojë më shumë siguri për qytetarët.

“Deklaruam se ky proces, ky i nisjes së bisedimeve për paqe, është në vazhdën e procese që kanë ndodhur vetiu në vitet e fundit”, deklaroi Humerto de la Calle, kryenegociatori i qeverisë.

Ndërkohë përfaqësuesi i rebelëve tha se vjen në këto bisedime me një “degë ulliri” në dorë në kërkim të një zgjidhje paqësore të përhershme.

Sipas planit të bisedimeve, në fazën e tretë parashikohet firmosja e një marrëveshjeje përfundimtare, gjithmonë nëse palët bien dakort.

Përgjatë 5 dekadave konflikt tre herë të dyja palët janë përpjekur t’i gjëjnë gjuhën e përbashkët përmes bisedimeve, por që të gjitha këto marrëveshje, shkeleshin brenda pak viteve. Marrëveshja e fundit e nënshkruar në 1999, u shkel në vitin 2002.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB