“Makth” i bardhë në Nju Jork dhe paralajmërime për stuhi dëbore, anulime fluturimesh dhe rekomandime për të kufizuar udhëtimet
Policia braziliane nisi një superoperacion në kërkim të të ashtuquajturit vrasësit të policëve, goditja e fundit e të cilit i mori jetën nënës së një 11-vjeçarje.
Marta Umbelina u qëllua 10 herë me armë zjarri teksa po dilte nga banesa e saj dhe në sy të vajzës 11-vjeçare. Rasti ka aktivizuar strukturat më të larta të policisë së San Paolos, një ndër shtetet braziliane me kriminalitetin më të lartë.
Të paktën 500 forca policore, përfshirë këtu edhe ato speciale mësynë në lagjet geto ku dyshohet se strehohet autori i vrasjes. Dhjetra persona si të dyshuar për lidhje me botën e krimit u prangosën, madje njërit prej tyre iu gjet edhe një listë me 40 emra policësh pjesëtarë të operacionit “Saturdion” që synon pastrimin e qytetit nga krimi.
Marta Umbelina ishte viktima e 100-të në radhët e policisë së San Paolos e ekzekutuar brenda këtij viti, një rritje drastike e krimit ndaj ruajtësve të rendit që krahasuar me një vit më parë është 50 përqind më e lartë. Ndërkohë, instituti brazilian “Avante Brasil” publikoi të dhëna shokuese në lidhje me kriminalitetin. Sipas këtij instituti, në Brazil cdo 9 minuta e 48 sekonda vdes një person.
Shifrat janë alarmante po të kihet parasysh se në 2014 vendi i madh amerikano-latin do të organizojë botërorin e futbollit dhe një ndër shqetësimet më të mëdha të FIFA-s ka qenë niveli i sigurisë, për të cilin Brazilia është zotuar se do të përmirësohet brenda afateve të nevojshme.
Top Channel