Korrespondenti i BBC-së ka bërë të ditur se raketa ka rënë mbi një shtëpi të një zyrtari të Hamas-it, ku një numër fëmijësh janë vrarë.
Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është gati të zgjerojë operacionet e tij.
Militantët e Gaza-s vazhdojnë të lëshojnë raketa drejt Izraelit, teksa janë raportuar të plagosur në qytete, përfshi Ashkelon dhe Ofakim.
Burime nga të dyja palët thonë se përpjekjet për të arritur një armëpushim po vazhdojnë.
Një total prej 18 individësh raportohen të kenë humbur jetën në Gaza nga bombardimet e Izraelit, gjatë ditës së dielë. 9 prej tyre kanë qenë fëmijë, ndërsa 4 gra, kanë bërë të ditur zyrtarë të shëndetësisë në Gaza.
Tashmë numri i të vdekurve në Gaza, që kur Izraeli nisi operacionin e saj të mbrojtjes, ditën e mërkurë, ka shkuar në 65 sipas burimeve zyrtare. 3 izraelitë ndërruan jetë ditën e enjte.
Obama rithekson: Mbështesim të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje
Përpjekjet për të arritur një marrëveshje armëpushimi po vazhdojnë. Zyrtarë të sigurisë nga Egjipti kanë thënë se një zyrtar izraelit mbërriti në Cairo për bisedime, por Izraeli nuk ka bërë asnjë koment mbi këtë ngjarje.
Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, duke folur ditën e dielë, tha nga Washingtoni se “është në mbështetje të plotë ndaj së drejtës së Izralit për t’u vetëmbrojtur”.
Netanyahu tha gjatë një mbledhje të kabinetit, të dielën, se ushtarët izraelitë ishin të gatshëm “për çdo lloj aktiviteti të mundshëm”.
“Ne kemi marrë një ndëshkim të rëndë nga Hamas dhe organizatat terroriste, kështu që forcat mbrojtëse të Izraelit janë të përgatitur për çdo zgjerim të konsiderueshëm të operacioneve”, tha ai.
Presidenti i Egjiptit, Mohammed Mursi, tha se një invazion i mëtejshëm i Izraelit do të kishte “pasoja serioze”, duke shtuar se Egjipti nuk do ta pranonte kurrsesi atë sikurse dhe “bota e lirë”.
Liga Arabe, e cila u mblodh në një seancë emergjente në Cairo, do të dërgojë një delegacion të ministrave të jashtëm në Gaza, të martën.
Përpara këtij sulmi, Izraeli kishte lëshuar vazhdimisht raketa mbi Gaza-n, pasi militantë palestinezë kishin provokuar në të njëjtën mënyrë, duke shkelur kufirin izraelit.
Por, bombardimi ajror dhe detar përbën sulmin më intensiv në territorin bregdetar, që kur Izraeli nisi një invazion të fuqishëm rreth 4 vite më parë.
Top Channel