Obama, vizitë historike në Azinë Juglindore

18/11/2012 00:00

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka nisur një Tur në Azinë Juglindore, që përfshin edhe një vizitë historike në Burma (njohur ndryshe si Mianmar).

Obama mbërriti të dielën në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok, duke nisur kështu turin e tij të parë ndërkombëtar që prej rizgjedhjes.

Të hënën, ai do të shndërrohet në presidentin e parë amerikan që do të vizitojë Burmën, shtetin e përgëzuar nga perëndimi për reformat demokratike që ka ndërmarrë pas lirimit të qindra të burgosurve politikë dhe mbajtjes së zgjedhjeve demokratike dhe të lira.

Në vendin që prej pesë dekadash ishte vendosur nën një regjim brutal diktatorial, Obama pritet të kërkojë garanci për distancimin nga bashkëpunimi me Korenë e Veriut, për një program të përfolur bërthamor, që u përfol për herë të parë në 2010-n.

Më parë gjatë 2012-s, Obama kishte lajmëruar për një përqendrimin gjithmonë e më të madh të Uashingtonit në kontinentin aziatik dhe seria e vizitave pritet të vihet në funksion të këtij qëllimi.

Pas vizitës në Mianmar, Presidenti Amerikan do t’i drejtohet Kamboxhias, ku do të marrë pjesë në një samit rajonal, përkrah liderve të disa shteteve aziatike.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB