Dhjetëra mijëra francezë protestuan në rrugët e qyteteve kryesore kundër projektit të qeverisë për të legalizuar martesën midis të njëjtit seks dhe të drejtën e çifteve gay për të birësuar fëmijë.
Policia vlerësoi se të paktën 70 mijë persona manifestuan paqësisht në Paris, ndërsa organizime të tjera të mëdha u realizuan në Lion, Tuluzë dhe Marsejë.
Midis maniftuesve përfshiheshin disa grupime të kishës katolike dhe mbështetës të tjerë të së drejtave të familjes tradicionale.
Më parë, Presidenti Francois Hollande kishte premtuar ndryshimin e ligjit francez, në mënyrë që çiftet homoseksuale dhe lesbike të mund të martoheshin.
Pavarësisht kundërshtimit nga 1 mijë kryebashkiakë dhe kishës katolike, qeveria e tij socialiste po harton një projektligj, i cili do t’i paraqitet parlamentit për miratim në muajin janar.
Franca njeh bashkëjetesën ligjore midis çifteve të të njëjtit seks, por zgjerimi i të drejtave të këtij komuniteti ishte një prej premtimeve që realizoi Hollande përpara se të fitonte zgjedhjet e muajit maj.
Përsa i përket birësimeve, aktualisht në Francë mund të adoptojnë fëmijë vetëm çiftet e martuara, çka përjashton automatikisht komuntetin LBGT.
Një numër vendesh të Bashkimit Europian, si Gjermania, Suedia apo Britania e Madhe kanë legalizuar më parë martesat gay.
Top Channel