Vrasja në Alpe, ende në “errësirë”

17/11/2012 00:00

Prokurorët që po hetojnë vdekjen e tre anëtarëve të një familjeje
britanike në Alpet Franceze kanë deklaruar për BBC se proçesi hetimor
vazhdon të jetë në udhëkryq.

Eric Maillaud deklaroi se të gjitha pistat për vdekjen e Saad al Hilli, bashkëshortes së tij Iqbal, të ëmës Suhaila al Allaf dhe një çiklisti francez “mbeten të hapura”.

Të paktën 60 oficerë të xhandarmërisë franceze po punojnë në këtë çështje, e cila është e shtrirë në shtatë shtete. Dy vajzat e zotit Al Hilli, Zainab dhe Zeena, i mbijetuan masakrës së shtatorit, motivet e të cilës po kërkohen ende nga hetuesit.

“Kemi ecur shumë krahasuar me ditën e parë të hetimeve, por ende s’kemi një skenar. Kur kam skenarin, atëherë mund të kem edhe dyshimet. Por për momentin, të gjitha pistat e hetimit mbeten të hapura”, deklaroi prokurori Maillaud.

Oficerët e xhandarmërisë franceze po punojnë me intensitet, por çështja duket shumë komplekse, duke qenë se shtrihet në Francë, Zvicër, Itali, Britani, Suedi dhe Spanjë.

Deri tani janë mbledhur deklaratat e rreth 800 dëshmitarëve, janë analizuar mijëra orë filmime të regjistruara nga kamerat e vendosura në rrugën ku ndodhi masakra, si dhe janë mbledhur disa prova shkencore.

“Pa dyshim, ne po kërkojmë dikë që ka vrarë edhe më parë, dikë që nuk e vlerëson jetën e njeriut. Ne nuk jemi të sigurt nëse ishte një punë profesionistësh, por nëse ka qenë një vrasje me pagesë, ajo është kryer shumë keq”, ka thënë më tej prokurori.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB